el-hamiid
الْحَمِيدُ
i gjithëlavdishmi, merituesi i të gjitha lavdeve dhe falënderimeve
Është përsëritur përmendja e këtij emri në Kur'anin fisnik shtatëmbëdhjetë herë. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

">﴿۞يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ أَنتُمُ ٱلۡفُقَرَآءُ إِلَى ٱللَّهِۖ وَٱللَّهُ هُوَ ٱلۡغَنِيُّ ٱلۡحَمِيدُ١٥﴾

“O ju njerëz, ju jeni fukarenjtë që ia keni nevojën Allahun, kurse Allahu është i Pasuri që s’ka nevojë për askënd dhe është i Gjithëlavdishmi." [Fatir, 15]

Gjithashtu, ka thënë i Lartësuari:

">﴿وَهُدُوٓاْ إِلَى ٱلطَّيِّبِ مِنَ ٱلۡقَوۡلِ وَهُدُوٓاْ إِلَىٰ صِرَٰطِ ٱلۡحَمِيدِ٢٤﴾

“Ata u udhëzuan te Fjala e Mirë dhe u udhëzuan te Rruga e të Lavdishmit." [El-Haxh, 24]

Kuptimi i emrit El-Hamiid është: Ai të cilit i përket e gjithë lavdia, i Lavdishmi në qenien e Tij, në emrat e Tij dhe cilësitë e Tij. Atij i përkasin emrat më të bukur dhe cilësitë më të përkryera. Hamdi është cilësia më e gjerë dhe lavdërimi më i lartë e më madhështor, ngase të gjithë Emrat e Allahut të Lartësuar janë lavdi, cilësitë e Tij janë lavdi, veprat e Tij janë lavdi, gjykimet e Tij janë lavdi, drejtësia e Tij është lavdi, hakmarrja e Tij mbi armiqtë e Tij është lavdi, begatia dhe mirësia e Tij për ata që i do Ai është lavdi.

Krijimi dhe urdhërimi bëhen vetëm se me lavdinë e Tij, çdo krijesë vjen në ekzistencë dhe shfaqet vetëm se me lavdinë e Tij. Qëllimi i ekzistimit të krijesave është për të vërtetuar lavdinë e Tij. Pra, lavdia e Allahut të Pastër nga çdo mangësi, është shkaku dhe qëllimi i krijimit të krijesave dhe në to manifestohet lavdia e Tij.

Lavdia e Tij është shpirti i çdo gjëje dhe çdo gjë mbahet me lavdinë e Tij. Lavdia e Tij shfaqet përherë te çdo gjë që ekziston dhe gjurmët e lavdisë së Tij duken dhe dëshmohen nga mendjet dhe shikimet.

Ka thënë Shejkhul-Islam Ibën Tejmijeh – Allahu e mëshiroftë: “Hamdi është dy llojesh: Hamdi për mirësinë që u jep Ai robërve të Tij, e ky është prej falënderimit. Si dhe hamdi që i takon Atij për Veten e Tij ngaqë Ai ka cilësi të përkryera. Dhe ky lloj hamdi nuk i takon askujt tjetër, vetëm se Atij që ka cilësitë e përkryera.”

Allahu i Lartësuar e ka filluar Librin e Tij me hamd, i ka filluar disa sure të Kur'anit me hamd, e filloi krijimin e krijesave me hamd dhe e mbylli ciklin e tyre me hamd. Atij i takon hamdi (lavdia) në fillim dhe në fund, Atij i takon falënderimi haptazi dhe fshehtazi dhe ai është i Lavdishmi, i Madhërishmi.