“Ai është Allahu, është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!" [El-Hashr, 23]
“Çdo gjë që është në qiej e çdo gjë që është në tokë e madhëron Allahun, Mbretin, të Pastrin nga çdo mangësi, të Plotfuqishmin, Gjykuesin më të urtë." [El-Xhumu’ah, 1]
Ndërsa, emri Es-Subbuh është përmendur në Sunet, te hadithi që ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij, nga Nëna e Besimtarëve ‘Aishah – radijAllahu ‘anha – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – thoshte kur ishte në ruku dhe në sexhde: “Subbuuhun Kudduusun Rabbul-melaiketi uerr-Rruuh (I Madhëruar dhe i Pastër nga çdo mangësi është Zoti i melaikeve dhe i Xhibrilit).” [Transmeton Muslimi 487]
Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i ka mbledhur te ky hadith tesbihun (te fjala Subbuuhun) me takdisin (te fjala Kudduusun), siç i bashkoi Allahu i Lartësuar të dyja bashkë, kur Ai përmendi tesbihun dhe takdisin që i bënë melaiket Allahut:
“Ne të madhërojmë Ty me lavdinë Tënde dhe dëshmojmë që Ti je i pastër nga çdo mangësi." [El-Bekarah, 30]
Këtu duhet të mësohet se tesbihu (pastrimi) dhe takdisi (dëlirja) për Allahun bëhet duke dëshmuar e duke deklaruar që Allahu është i Pastër nga çdo mangësi apo e metë, si dhe duke pohuar lavdet që meriton Ai dhe cilësitë e përsosura të Tij – i Pastri nga çdo mangësi – të cilat janë ashtu siç i kanë hije Atij.
Ka thënë Shejkhul-Islam Ibën Tejmijjeh – Allahu e mëshiroftë: “Urdhri për t’i bërë tesbih Allahut, do të thotë që të deklarosh se Allahu është i Pastër nga çdo mangësi e nga çdo gjë e keqe, si dhe të pohosh lavdet me të cilat Ai e ka lavdëruar Veten e Tij. Pra, tesbihu nënkupton pastrimin, lavdërimin, madhërimin dhe veçimin e Tij.”
Nga kjo mësohet se mohimi i cilësive, mos-pohimi i tyre dhe refuzimi i domethënieve të tyre reale nga ana e bidatçijve ‘El-Mu’attileh’, me pretendimin kinse ata po e madhërojnë Allahun dhe po e pastrojnë nga çdo mangësi që i mvishet Atij, në të vërtetë nuk është aspak ‘tesbih’ dhe as ‘takdis’, porse është refuzim dhe mohim, devijim dhe shpifje.
Ka thënë Ibën Rexheb – Allahu e mëshiroftë – për kuptimin e Fjalës së Allahut të Lartësuar:
">﴿فَسَبِّحۡ بِحَمۡدِ رَبِّكَ﴾
“Andaj, ti bëj tesbih me Emrin e Zotit tënd." [El-Hixhr, 98]
“Domethënë: madhëroje Atë me lavdet që ia ka bërë Ai Vetes së Tij sepse jo çdo tesbih është i lavdëruar, njësoj si tesbihu që bëjnë Muëtezilët, ngaqë tesbihu i tyre përmban mohim të shumë prej cilësive të Allahut.”
Fjala e Ibën Rexhebit: “...sepse jo çdo tesbih është i lavdëruar”, është një fjalë tejet e rëndësishme sepse t’i bësh tesbih Allahut duke refuzuar e mohuar cilësitë e Tij dhe duke mos i pohuar ato, është një çështje për të cilën nuk mund të lavdërohet ai që e bën atë, përkundrazi ai duhet të qortohet rëndë. Ai njeri nuk është prej atyre që i bëjnë tesbih Allahut me lavdet që i takojnë Atij, porse është prej atyre që i mohojnë, i refuzojnë dhe i përgënjeshtrojnë ato, ndërkohë që Allahu e ka deklaruar Veten e Tij të Pastër nga fjala që thonë ata dhe nga mohimi i tyre sepse Ai ka thënë me Fjalën e Tij:
“I Pastër është Zoti yt, Zoti i lavdisë, nga ato që i përshkruajnë ata. Paqja qoftë për të Dërguarit. E të gjitha lavdet dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë.”
[Es-Safat, 180-182]
Pra, Allahu e ka deklaruar Veten e Tij të Pastër nga ato që ia përshkruajnë kundërshtarët e të Dërguarve, pastaj Ai dërgoi paqe mbi të Dërguarit, për shkak të fjalës së drejtë që thanë për hakun e Allahut, pa i mveshur Atij mangësi apo të meta.