es-selaam
السَّلَامُ
i përsosuri nga të gjitha të metat dhe mangësitë
Ky emër ka ardhur në Kur`an një herë të vetme, në Fjalën e Allahut të Lartësuar:

">﴿هُوَ ٱللَّهُ ٱلَّذِي لَآ إِلَٰهَ إِلَّا هُوَ ٱلۡمَلِكُ ٱلۡقُدُّوسُ ٱلسَّلَٰمُ ٱلۡمُؤۡمِنُ ٱلۡمُهَيۡمِنُ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡجَبَّارُ ٱلۡمُتَكَبِّرُۚ سُبۡحَٰنَ ٱللَّهِ عَمَّا يُشۡرِكُونَ٢٣﴾

“Ai është Allahu, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I Pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!" [El-Hashr, 23]

Kuptimi i këtij emri fisnik është: Ai që është i Pastër nga të gjitha të metat dhe mangësitë, ngaqë Ai është i Përsosur në Veten e Tij, cilësitë e Tij dhe veprat e Tij.
Pra, Ai, i Madhërishmi dhe i Lartësuari, është i Përsosuri i Vërtetë në çdo aspekt.
Ai është i Përsosur në Cilësitë e Tij, nga çdo e metë dhe mangësi që mund të arrijë imagjinata.
Ai është i Përsosur në Veprat e Tij, nga çdo e metë, mangësi, sherr, padrejtësi dhe nga çdo vepër që bëhet pa urtësi.
Ai, i Pastri nga çdo e metë, është i Përsosur nga pasja e ndonjë bashkëshorteje dhe fëmije.
Ai është i Pastër nga ajo që dikush të jetë i ngjashëm, i barabartë, i njëllojtë dhe i njëjtë me Të.
Ai është i Pastër nga pasja e ndonjë shoku dhe ortaku.
Gjithashtu, ky emër i përmban të gjitha cilësitë e Allahut të Lartësuar, sepse çdo cilësi nga cilësitë e Tij – të Madhëruarit e të Lartësuarit – është e pastër nga çdo e metë dhe mangësi. Këtë çështje e ka sqaruar hollësisht dhe e ka vërtetuar Ibën Kajjimi – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – duke e shtjelluar atë me fjalë të qarta dhe të forta, pastaj e përmbylli me fjalën e tij: “Andaj, medito se si emri i Tij Es-Selaam përmban çdo gjë të pastër e të përsosur që i takon Atij – të Madhëruarit dhe të Lartësuarit. Sa e sa njerëz e kanë memorizuar këtë emër, mirëpo nuk e dinë se çfarë sekretesh dhe kuptimesh përmban ky emër”.