“O ju njerëz, ju jeni fukarenjtë që ia keni nevojën Allahun, kurse Allahu është i Pasuri që s’ka nevojë për askënd dhe është i Gjithëlavdishmi." [Fatir, 15]
Pra, Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar, Ai është i Pasuri me qenien e Tij, Ai që posedon pasuri të plotë dhe absolute në të gjitha aspektet dhe pikëpamjet, për arsye se Ai është i Përsosur dhe cilësitë e Tij janë të përsosura, cilësi të cilave nuk u qaset asnjë mangësi, në çfarëdo aspekti qoftë.
Argument tjetër i përsosmërisë së pasurisë së Tij dhe mospasjes nevojë për asgjë është se Atij nuk i bëjnë aspak dobi veprat e mira që bëjnë për Të robërit e devotshëm, si dhe nuk i bëjnë aspak dëm veprat e këqija që bëjnë mëkatarët. Nëse të gjithë banorët e tokës do ta besonin Allahun, kjo nuk do të shtonte ndonjë gjë në sundimin e Tij dhe nëse të gjithë banorët e tokës do ta mohonin Allahun, kjo nuk do të pakësonte ndonjë gjë në sundimin e Tij.
Kështu që, kush e njeh Zotin e tij me këtë përshkrim madhështor, e ka njohur veten e tij.
Kush e njeh Zotin e tij se Ai posedon pasurinë absolute, e ka njohur veten e tij se ka varfëri absolute.
Kush e njeh Zotin e tij se Ai është poseduesi i fuqisë së plotë, e ka njohur veten e tij se ka pamundësi të plotë.
Kush e njeh Zotin e tij se Ai posedon lavdinë e plotë, e ka njohur veten e tij se ka dobësi të plotë.
Kush e njeh Zotin e tij se Ai është poseduesi i diturisë së plotë dhe urtësisë, e ka njohur veten e tij se ka injorancë.
Dituria që ka robi për veten e tij, se ai është përherë i varfër dhe ka nevojë për Allahun, dituri e cila është fryt i njohjes së tij për Allahun, në të vërtetë është shenjë që tregon për lumturinë e robit dhe shpëtimin e tij në dynja dhe ahiret.