err-rrahmaan
الرَّحْمَنُ
i gjithëmëshirëshmi
err-rrahiim
الرَّحِيْمُ
mëshiruesi
Këta janë dy emra fisnikë që janë përmendur shumë në Kur`anin fisnik. Me këta dy emra Allahu e filloi suren El-Fatiha, e cila quhet Nëna e Kur`anit, si dhe i bëri këta dy emra simbol të udhëzimit dhe sqarimit që shpalli Ai. Gjithashtu, Ai i përfshiu këta dy emra te fjala Bismil-lahi Err-Rrahmaani Err-Rrahiim, të cilës nuk i reziston dot shejtani. Me këtë fjalë e filloi letrën e tij Profeti i Allahut, Sulejmani – ‘alejhis-selam – e madje edhe Xhibrili kur zbriste me shpallje te Profeti Muhamed – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – me këtë fjalë e fillonte çdo sure nga Kur`ani.

Secili nga këta dy emra është argument që vërteton se mëshira është cilësi e Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm.

Err-Rrahmaan do të thotë: Ai që e ka mëshirën cilësi të Vetes së Tij; kurse Err-Rrahiim do të thotë: Ai që është i mëshirshëm me robërit e Tij.

Te këta dy emra ka argument të qartë për mëshirën e përsosur e të gjerë, e cila është cilësi e Allahut.

Çdo gjë e mirë, e dashur, e gëzueshme, apo e begatshme që arrihet në këtë botë, qoftë lart apo poshtë saj, është si rezultat i mëshirës së Tij. Po ashtu, çdo gjë e urryer, çdo bela, çdo gjë e frikshme, çdo rrezik apo çdo dëm që u largohet krijesave, është si rezultat i mëshirës së Tij. Sepse çdo e mirë vjen veçse nga Ai, e çdo e keqe që largohet, largohet veçse nga Ai sepse Ai është më i Mëshirshmi i të gjithë mëshiruesve.