err-rrabb
الرَّبُّ
zoti i gjithësisë
Ky është një emër madhështor i Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, i cili përsëritet në shumë vende në Kur'anin fisnik dhe në kontekste të ndryshme, të cilat kalojnë mbi pesëqind. Allahu i Lartësuar thotë:

">﴿الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ٢﴾

“Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë." [El-Fatiha, 2]

Thotë i Lartësuari:

">﴿قُلۡ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحۡيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّهِ رَبِّ ٱلۡعَٰلَمِينَ١٦٢﴾

“Thuaj (o Muhammed): Me të vërtetë që namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun, Zotin e gjithësisë." [El-En’am, 162]
Kuptimi i emrit Err-Rrabb është: Ai që posedon Rububijen mbi të gjitha krijesat e Tij, që është krijimi, sundimi, drejtimi dhe sistemimi i çështjeve të tyre. Ky emër është prej atyre emrave që kanë disa kuptime dhe nuk kufizohen me një kuptim të vetëm. Në fakt, nëse ky emër përmendet veçmas, i përmban të gjitha kuptimet e Emrave të bukur të Allahut dhe Cilësive të Tij të larta.

Prandaj, Ibën Kajjim El-Xheuzijeh – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: “Me të vërtetë që Zoti është i Plotfuqishmi, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi, i Gjalli i Përjetshëm, i Vetëmjaftueshmi, i Gjithëdituri, Dëgjuesi, Shikuesi, Mirëbërësi, Begatuesi, Bujari, Ai që jep dhe privon, Ai që ka mundësi të të dëmtojë dhe të të bëjë dobi. I Pari i pafillim dhe i Fundit i pambarim. Ai që devijon kë të dojë dhe udhëzon kë të dojë; lumturon kë të dojë dhe hidhëron kë të dojë; nderon kë të dojë dhe poshtëron kë të dojë, si dhe kuptime të tjera që i përmban Rububija e Tij, kuptime të cilat Ai i meriton nga Emrat e Tij të bukur.