“Apo mos vallë ata morën mbrojtës të tjerë veç Tij? Mirëpo vetëm Allahu është mbrojtësi, Ai i ngjall të vdekurit dhe Ai ka fuqi për çdo gjë." [Esh-Shuura, 9]
“Përkundrazi, Allahu është Ndihmuesi juaj, e Ai është më i Miri nga të gjithë ndihmuesit." [Aal-Imran, 150]
Mbrojtja dhe përkujdesja e Allahut të Lartësuar për robërit e Tij, janë dy lloje:
Lloji i parë: Mbrojtja e përgjithshme, që Allahu i Pastër nga çdo mangësi, vë në lëvizje dhe sistemon të gjitha krijesat. Ai cakton për robërit çfarë të dojë, të mira apo të këqija, dobi apo dëm. Gjithashtu, kuptimi i tyre përmban dhe pohimin e të gjitha domethënieve të sundimit për Allahun e Lartësuar, se të gjithë robërit i nënshtrohen sistemit të Tij universal e askush prej tyre nuk del dot jashtë kontrollit nga dëshira e Tij dhe as jashtë fuqisë së Tij gjithëpërfshirëse. Kjo gjë i përfshin besimtarët dhe qafirët, të mirët dhe të këqijtë, e për këtë argumenton Fjala e Allahut të Lartësuar:
“Pastaj ata do të kthehen tek Allahu, Ai që kujdeset për ta me të vërtetë; e padyshim që Atij i takon gjykimi dhe Ai është më i Shpejti në bërjen e llogarisë." [El-Enam, 62]
Lloji i dytë: Ndihma dhe përkujdesja specifike, e kjo është ajo që ka ardhur më së shumti në Kur`anin fisnik dhe në Sunetin profetik. Kjo është ndihma madhështore dhe përkujdesja fisnike, me të cilën Allahu i ka veçuar robërit e Tij besimtarë, grupin që i nënshtrohet Atij dhe të dashurit e Allahut që janë të devotshëm.
Allahu i Pastër nga çdo e metë, ka sqaruar në Kur`anin fisnik se kjo ndihmë madhështore nuk arrihet ndryshe, veçse me iman të sinqertë, me devotshmëri për Allahun, fshehtazi dhe haptazi, duke u përpjekur që t’i afrohesh Atij me kryerjen e obligimeve të Islamit dhe me ato gjëra që ka rekomanduar feja, sikurse thotë i Lartësuari:
“Padyshim se të dashurit e Allahut (eulijatë) nuk do të kenë frikë e as nuk do të dëshpërohen. Pikërisht, janë ata të cilët besuan dhe ruheshin.” [Junus, 62-63]