“Me të vërtetë që Ne e zbritëm Përkujtuesin (Kur`anin) dhe padyshim që Ne jemi Ruajtësit e Tij." [El-Hixhr, 9]
Këta dy emra madhështorë tregojnë që Allahu i Patëmeta e ka cilësi të Tijën veprën e ruajtjes. Ruajtja e Allahut të Lartësuar për robërit e Tij është dy llojesh: e përgjithshme dhe e veçantë.
Ruajtja e përgjithshme: është ruajtja e Tij për ta, duke ua lehtësuar atyre ngrënien, pirjen dhe ajrin; duke i udhëzuar ata tek ato gjëra që janë të dobishme për ta. Ai ka caktuar dhe ka vendosur për ta domosdoshmëri dhe nevoja, e të gjitha ato përbëjnë udhëzimin e përgjithshëm, për të cilin ka thënë Allahu i Patëmeta:
“Ai i cili i dha çdo gjëje krijimin që i takonte dhe pastaj e udhëzoi." [Taha, 50]
Gjithashtu, Ai i ruan ata duke larguar prej tyre gjëra të ndryshme të urryera, të dëmshme apo të këqija. Kjo ruajtje e Allahut është për njerëzit e mirë dhe për njerëzit e prishur, madje edhe për kafshët dhe krijesat e tjera. Bijve të Ademit u janë caktuar melaike që t’i ruajnë ata, me urdhrin e Allahut, sikurse ka thënë Allahu i Patëmeta:
“Ai ka melaike që e përcjellin atë nga përpara e nga mbrapa, si dhe e mbrojnë atë ngaqë i ka urdhëruar Allahu." [Er-Rra’d, 11]
Domethënë që ata largojnë prej tij – me urdhrin e Allahut – çdo gjë që e dëmton atë, e cila patjetër që do ta kishte dëmtuar atë, po të mos kishte qenë ruajtja e Allahut.
Ruajtja e veçantë: është ruajtja që ia jep Allahu robërve të Tij të dashur, përveç ruajtjes së përgjithshme që u përmend më përpara, ngaqë Ai ua ruan atyre imanin nga dyshimet devijuese, nga fitnet rrëmbyese dhe nga epshet shkatërruese. Kështu pra, Ai u jep atyre mirëqenie duke i ruajtur nga të gjitha ato, si dhe duke i ruajtur nga armiqtë e tyre xhinë e njerëz e duke i ndihmuar kundër tyre. Ai largon prej tyre komplotet dhe kurthet e armiqve, ashtu siç ka thënë Allahu i Patëmeta:
“Me të vërtetë që Allahu i mbron ata të cilët besojnë." [El-Haxh, 38]
Në varësi të imanit që ka robi, ashtu do të jetë edhe mbrojtja e Allahut për të. Për këtë arsye, ka thënë Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:
احْفَظِ اللهَ يَحْفَظْكَ
“Ruaje Allahun që të të ruajë Allahu ty.”
Domethënë: ruaji urdhrat e Allahut duke i zbatuar ato, ruaji ndalesat e Allahut duke qëndruar larg tyre, ruaji kufijtë e Allahut duke mos i shkelur ato, që Ai të të ruajë veten tënde, fenë tënde, pasurinë tënde, fëmijën tënd, si dhe çdo gjë tjetër që ta ka dhënë Allahu i Pastër nga çdo mangësi.