Emri i Allahut El-Uaasi’u është përsëritur në disa vende në Kur`an.
Kuptimi i emrit El-Uaasi’u është: Ai që ka cilësitë dhe tiparet me kuptimet më të gjera të tyre, si dhe çdo gjë tjetër që lidhet me to, saqë askush nuk mund ta lavdërojë Atë ashtu siç meriton Ai, porse Ai është ashtu siç e ka lavdëruar Veten e Tij. Ai ka madhështi të gjerë, ka pushtet dhe mbretëri të gjerë, ka meritë e mirësi të gjerë, ka fisnikëri dhe bujari madhështore.
Ka thënë i Lartësuari kur sqaron se sa e gjerë është dija dhe mëshira e Tij:
“...kurse Allahu ju premton falje dhe mirësi prej Tij. Allahu fal shumë dhe është i Gjithëdijshëm." [El-Bekarah, 268]
Nga çështjet që dëshmojnë për emrin e Tij El-Uaasi’u është se Ai – i Pastri nga çdo mangësi – u ka dhënë robërve të Tij hapësirë të gjerë në fenë e tyre dhe nuk i ka ngarkuar me diçka që ata nuk kanë mundësi ta bëjnë. Ka thënë i Lartësuari:
“Allahu nuk e ngarkon askënd përtej mundësisë që ka." [El-Bekarah, 286]
Kështu që, Allahut i takojnë lavdërimet dhe falënderimet e shumta, të mira e të begata, për lehtësimin që na ka dhënë, ashtu siç do dhe kënaqet Zoti ynë.