“Kush ndërmjetëson për mirë, do të ketë pjesë nga mirësia, e kush ndërmjetëson për keq, do të mbajë edhe ai një pjesë nga barra e saj. E me të vërtetë që Allahu është për çdo gjë Mbikëqyrës." [En-Nisa, 85]
Ka thënë Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë: “Për sa i përket Fjalës së Allahut: ‘Allahu është për çdo gjë Mbikqyrës’. Ibën ‘Abbasi, Atau, Katadeh dhe Matar El-Uerrak kanë thënë: (مُقِيتًا) Mukiitan do të thotë Hafiidhan – Ruajtës.
Kurse, Muxhahidi ka thënë: (مُقِيتًا) Mukiitan do të thotë Shehiidan – Dëshmues. Kurse, në tjetër transmetim nga Muxhahidi, thotë: Hasiiban – Ai që të merr në llogari.
Kurse, Se’id Ibën Xhubejr, Suddij dhe Ibën Zejdi kanë thënë: do të thotë Kadiiran – i Plotfuqishëm. Pastaj, AbdUllah Ibën Kethiri ka thënë: El-Mukiit është El-Uaasib – i Përhershmi. Ndërsa, Dahaku tha: El-Mukiit është Err-Rezzaak – Furnizuesi i gjithçkaje.”
Pra, nuk përjashtohet që ky emër t’i përmbajë të gjitha këto domethënie, në mënyrë që kuptimi i tij të jetë: Ai i cili përfshin me dijen e Tij robërit e Tij, gjendjet e tyre dhe nevojat e tyre. Ai që i përfshin ata me fuqinë e Tij sepse Ai është i Plotfuqishëm që të bëjë çdo gjë. Ai që garanton ruajtjen, furnizimin dhe mbështetjen e tyre. Ai i Cili furnizon trupat e tyre me ushqime dhe furnizime, si dhe i furnizon zemrat e robërve që do Ai me dituri dhe iman.