“Ai është Allahu, është Ai, përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. Ai është Mbreti, i Pastri nga çdo mangësi, i Përsosuri që nuk i ngjitet asnjë e metë, Dhënësi i sigurisë, Dëshmuesi, i Plotfuqishmi, i Lartmadhërishmi, Krenari. I pastër është Allahu nga ato gjëra që ia shoqërojnë ata!" [El-Hashr, 23]
Kuptimi i emrit El-Muhejmin është: Ai që di me imtësi gjërat e fshehta dhe sekretet e zemrave, Ai që ka përfshirë çdo gjë me dijen e Tij, Ai që dëshmon veprat e krijesave, është Err-Rrakiib Mbikëqyrësi i tyre kur ata flasin e kur veprojnë. Asnjë vepër e tyre nuk mund t’i shpëtojë Atij dhe asnjë grimcë atomi, në tokë apo në qiell, nuk mund t’i ikë mbikëqyrjes së Tij.
Kurse emri El-Muhiit është përmendur në disa vende në Kur`an. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
">﴿وَكَانَ ٱللَّهُ بِكُلِّ شَيۡءٖ مُّحِيطٗا١٢٦﴾
“Allahu është Gjithpërfshirës i çdo gjëje." [En-Nisa, 126]
Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:
">﴿ ٱللَّهَ بِمَا يَعۡمَلُونَ مُحِيطٞ١٢٠﴾
“Me të vërtetë që Allahu është Gjithpërfshirës i veprave që bëjnë ata." [Ali Imran, 120]
Ky emër tregon se Allahu ka përfshirë gjithçka me dijen, fuqinë dhe pushtetin e Tij.
Ai ka përfshirë me dijen e Tij gjithçka, saqë nuk ka asnjë grimcë atomi që mund t’i shpëtojë Atij.
Ai ka përfshirë me fuqinë e Tij gjithçka, saqë nuk ka asgjë që mund të përballet me Të, qoftë në tokë apo në qiell.
Ai ka përfshirë me pushtetin e Tij gjithçka, saqë nuk ka asgjë që mund të dalë apo t’ia mbathë nga pushteti i Tij. Ka thënë i Lartësuari:
“O ju turmë e xhinëve dhe njerëzve, nëse keni mundësi që të dilni përtej kufijve të qiejve dhe tokës, atëherë dilni, por ju s’mund të dilni dot kurrë, përveç nëse do të kishit ndonjë fuqi të madhe." [Er-Rahman, 33]
Domethënë ju s’mund t’ia mbathni dot nga vendimi dhe caktimi i Allahut, sepse Ai ka përfshirë gjithçka me dijen, fuqinë dhe pushtetin e Tij.