esh-shehiid
الشَّهِيدُ
dëshmuesi
err-rrakiib
الرَّقِيبُ
mbikëqyrësi
Për sa i përket emrit Esh-Shehiid, ai është përmendur në disa vende në Kur'an. Ka thënë i Lartësuari:

">﴿ وَكَفَىٰ بِٱللَّهِ شَهِيدٗا٧٩﴾

“...dhe mjafton Allahu si Dëshmues." [En-Nisa, 79]

Ndërsa, emri Err-Rrakiib është përmendur në tre vende, e në njërin prej tyre është shoqëruar me emrin Esh-Shehiid.

Ka thënë Allahu i Lartësuar:

">﴿إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ عَلَيۡكُمۡ رَقِيبٗا١﴾

“Me të vërtetë që Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju." [En-Nisa, 1]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

">﴿وَكَانَ ٱللَّهُ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ رَّقِيبٗا٥٢﴾

“E Allahu është Mbikëqyrës mbi çdo gjë." [El-Ahzab, 52]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

">﴿وَكُنتُ عَلَيۡهِمۡ شَهِيدٗا مَّا دُمۡتُ فِيهِمۡۖ فَلَمَّا تَوَفَّيۡتَنِي كُنتَ أَنتَ ٱلرَّقِيبَ عَلَيۡهِمۡۚ وَأَنتَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ شَهِيدٌ١١٧﴾

“(Isai tha): Unë isha dëshmues i tyre përderisa isha me ta, por kur Ti më ngrite lart, atëherë Ti ishe Mbikëqyrësi i tyre. Nuk ka dyshim se Ti je Dëshmues mbi çdo gjë." [El-Ma`ideh, 117]

Ndërsa kuptimi i emrit Esh-Shehiid është: Ai i Cili është i Gjithëdijshëm për çdo gjë dhe nuk i fshihet asnjë gjë. Ai që dëgjon çdo zë, qoftë i ultë apo i lartë. Ai që shikon çdo gjë që ekziston, sado e imtë apo e dukshme, e vogël apo e madhe të jetë ajo. Dija e Tij përfshin gjithçka dhe është Ai që do të dëshmojë në favor të robërve të Tij apo kundër tyre, sipas veprave që kanë bërë ata.

Kurse, kuptimi i emrit Err-Rrakiib është: Ai i Cili është i Gjithëdijshëm për ato që mbajnë brenda zemrat, Ai i Cili mbikëqyr çdo shpirt për veprat që bën. Ai i Cili i ruan krijesat dhe i vë në lëvizje ato sipas një rregulli dhe sistemi plotësisht të përsosur. Ai mbikëqyr me shikimin e Tij çdo gjë që duket dhe nuk i fshihet asgjë. Ai mbikëqyr me dëgjimin e Tij gjithëpërfshirës çdo gjë që dëgjohet dhe mbikëqyr të gjitha krijesat me dijen e Tij, e cila përfshin gjithçka.

Besimi në këtë emër dhe domethënien e Tij, e nxit njeriun që ta ketë gjithmonë ndërmend mbikëqyrjen e Allahut të Plotfuqishëm e të Lartmadhëruar, në çdo vepër e në çdo gjendje të tij. Sepse vetëdijesimi i robit për mbikëqyrjen e Allahut është një nga frytet e diturisë që ka robi se Allahu i Patëmeta është Mbikëqyrësi i tij, që Ai e shikon atë, i dëgjon fjalët e tij dhe i vëzhgon veprat e tij në çdo kohë, në çdo çast, në çdo frymëmarrje dhe për çdo përpëlitje të syrit.