“Madhëria është ridaja Ime (cilësi që më takon vetëm Mua) dhe madhështia është izari Im (cilësi që më takon vetëm Mua). Ai që më rivalizon në njërën nga këto dyja, Unë do ta hedh në Zjarr.”
Allahut të Patëmeta e të Lartësuar i takon madhëria dhe madhështia, dy cilësi grada e të cilave është e pamundur të përshkruhet dhe robërit nuk arrijnë dot ta perceptojnë realitetin e tyre.
Muslimani, nëse beson dhe është i bindur që Allahu i Patëmeta e i Lartësuar, është më i Madhi se çdo gjë tjetër dhe se çdo gjë – sado e madhe të jetë ajo – është e vogël përpara madhërisë dhe madhështisë së Tij, do të përulet dhe nënshtrohet përpara Zotit të tij, do t’ia dedikojë vetëm Atij të gjitha llojet e adhurimeve, do të besojë bindshëm që vetëm Ai i meriton adhurimet e askush tjetër përveç Tij, si dhe do të mësojë se asnjë idhujtar nuk e ka vlerësuar Zotin e tij Madhështor me vlerësimin që meriton Ai, siç ka thënë i Lartësuari:
“Ata nuk e vlerësuan Allahun me vlerësimin që meriton Ai. Ditën e Gjykimit, e gjithë toka dhe qiejt do të jenë të mbështjella në Dorën e Tij të djathtë. I Pastër nga çdo mangësi dhe i Lartësuar është Ai nga ato që idhujtarët ia shoqërojnë Atij." [Ez-Zumer, 67]
SubhanAllah! Ku shkojnë mendjet e idhujtarëve kur nënshtrimin dhe përuljen e tyre ua dedikojnë krijesave të dobëta dhe sendeve të pavlera? Ato nuk posedojnë asgjë për veten e tyre, as dobi e as dëm, e jo më të posedojnë diçka për të tjerët. Ata e braktisën përuljen dhe nënshtrimin për Zotin e Madhërishëm, të Madhin, të Lartësuarin me Qenien e Tij mbi të gjitha krijesat, Krijuesin madhështor, drejt të Cilit kthehen fytyrat, të Cilit i janë nënshtruar zërat, e nga frika e Tij dridhen zemrat dhe janë përulur kokat. I Lartmadhëruar është Allahu, Zoti i botërave.