“Ai është që di me imtësi gjërat e padukshme dhe ato që janë të dukshme, i Madhi, i Lartësuari." [Er-Ra’d, 9]
Këta emra janë argument për lartësinë absolute të Allahut, në të gjitha aspektet dhe kuptimet e saj, sepse Ai është i Lartësuari me Veten e Tij, Ai është i lartësuar mbi Arsh, është lartësuar mbi të gjitha qeniet dhe është i ndarë nga ato. Ka thënë i Lartësuari:
">﴿ٱلرَّحۡمَٰنُ عَلَى ٱلۡعَرۡشِ ٱسۡتَوَىٰ٥﴾
“I Gjithëmëshirshmi u ngrit lart mbi Arsh." [Taha, 5]
Gjithashtu, i Lartësuari ka thënë në gjashtë ajete të tjera në Kur`an:
">﴿ ثُمَّ ٱسۡتَوَىٰ عَلَى ٱلۡعَرۡشِۖ ﴾
“E pastaj Ai u ngrit mbi Arsh." [El-A’raf, 54]
Domethënë që Ai u ngrit dhe u lartësua mbi Arsh, me një lartësim që i ka hije Fisnikërisë, Përsosmërisë dhe Madhështisë së Allahut – të Pastër nga çdo mangësi. Gjithashtu, Ai është i Larti në pozitën e Tij, që është lartësia e cilësive të Tij dhe madhështisë së Tij, ngaqë cilësitë e Tij janë madhështore, askush nuk ka cilësi të ngjashme me to dhe askush nuk ka qoftë një cilësi të vetme që t’i afrohet cilësive të Tij. Madje, robërit e kanë të pamundur që të perceptojnë qoftë edhe një cilësi të vetme të cilësive të Allahut.
Gjithashtu, Ai është i Lartë në sundimin e Tij, ngaqë Ai ka nënshtruar çdo gjë dhe që të gjitha krijesat i janë dorëzuar Atij. Pra, kontrolli i të gjitha krijesave është në Dorën e Tij, nuk lëviz asnjë krijesë dhe nuk qëndron në vend asnjë krijesë pa lejen e Tij. Çfarë dëshiron Ai ndodh, e çfarë nuk dëshiron Ai nuk ndodh.
Besimi në lartësinë e Allahut mbi krijesat e Tij, e bën robin që ta madhërojë Allahun, që të përulet para Atij dhe t’i nënshtrohet Atij, që ta pastrojë Allahun nga çdo mangësi apo e metë që i mvishet Atij, që t’ia dedikojë adhurimin me sinqeritet vetëm Atij, si dhe nuk guxon që t’i bëjë Allahut të barabartë e ortakë. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
“Kjo, ngaqë Allahu është i Adhuruari me të drejtë, ndërsa ata të cilëve ju u luteni në vend të Atij, ata janë të kotë. E me të vërtetë që, Allahu është i Larti, i Madhi." [El-Haxh, 62]