ALLAHU
اللهُ
i adhuruari i vetëm me të drejtë
Ky është një emër madhështor, ndër emrat e bukur të Allahut. Është emri që përmendet më së shumti në Kur`anin fisnik dhe është përmendur në Kur`an më shumë se njëmijë e dyqind herë, e asnjë emër tjetër nuk është përmendur kaq shumë herë. Allahu i Madhëruar e i Lartësuar ka filluar me këtë emër tridhjetë e tre ajete. Disa dijetarë kanë thënë se ai është emri më i madh i Allahut, me të cilin po iu lute Atij, Ai të përgjigjet dhe nëse i kërkon duke iu drejtuar me atë emër, Ai të jep. Ky emër ka disa veçori me të cilat dallohet, një prej të cilave është se ai:
- Është baza e të gjithë emrave të tjerë të bukur të Allahut, e të gjithë emrat e tjerë i bashkëngjiten këtij emri. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

">﴿وَلِلَّهِ ٱلۡأَسۡمَآءُ ٱلۡحُسۡنَىٰ فَٱدۡعُوهُ بِهَاۖ ﴾

“Të Allahut janë emrat më të bukur, andaj lutjuni Atij duke iu drejtuar me ata emra." [El-A’raf, 180]

- Përmban të gjitha kuptimet e emrave të bukur, është tregues i tyre në mënyrë të përgjithshme, kurse vetë emrat e bukur të Allahut mbartin në mënyrë të detajuar kuptimet e tyre dhe sqarojnë cilësitë hyjnore, të cilat janë cilësi të fisnikërisë, përsosmërisë dhe madhështisë. Pra, Allah është emri tek i cili kthehen të gjithë emrat e tjerë të bukur të Allahut dhe është boshti i kuptimeve të tyre.

Fjala më përmbledhëse dhe më e bukur që është thënë për kuptimin e emrit Allah, është fjala e cila është transmetuar nga Ibën Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – se ai ka thënë: “Allahu është Ai që ka veçorinë e të qenit i Adhuruar dhe ka të drejtën që të adhurohet, mbi të gjitha krijesat e Tij.” [1]

Domethënë: është Ai që ka cilësitë e fisnikërisë, përsosmërisë dhe madhështisë, për shkak të të cilave Ai meriton që të jetë i Adhuruari me hak dhe meriton që të veçohet nga çdo gjë tjetër, që t’i përulesh, t’i nënshtrohesh dhe t’i dorëzohesh vetëm Atij.