el-‘afuu
العَفُوُّ
shlyesi i mëkateve
el-gafuur
الغَفُورُ
falësi i madh
Allahu i Lartësuar ka thënë:

">﴿۞ذَٰلِكَۖ وَمَنۡ عَاقَبَ بِمِثۡلِ مَا عُوقِبَ بِهِۦ ثُمَّ بُغِيَ عَلَيۡهِ لَيَنصُرَنَّهُ ٱللَّهُۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَعَفُوٌّ غَفُورٞ٦٠﴾

“Po, kështu është. Ai që merr hak për aq sa është dëmtuar, pastaj përsëri i bëhet padrejtësi, Allahu sigurisht që do ta ndihmojë atë. Allahu është Shlyesi i mëkateve dhe është Falësi i madh." [El-Haxh, 60]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

">﴿فَأُوْلَٰٓئِكَ عَسَى ٱللَّهُ أَن يَعۡفُوَ عَنۡهُمۡۚ وَكَانَ ٱللَّهُ عَفُوًّا غَفُورٗا٩٩﴾

“Allahu me siguri që do t’i falë ata. Allahu është përherë Shlyes i mëkateve dhe Falës i madh." [En-Nisa, 99]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

">﴿وَإِنِّي لَغَفَّارٞ لِّمَن تَابَ وَءَامَنَ وَعَمِلَ صَٰلِحٗا ثُمَّ ٱهۡتَدَىٰ٨٢﴾

“E me të vërtetë që Unë jam padyshim Falës i Madh për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, pastaj udhëzohet." [Taha, 82]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

">﴿وَأَنَا ٱلتَّوَّابُ ٱلرَّحِيمُ١٦٠﴾

“Unë jam Ai që e pranoj pendimin dhe mëshiroj shumë." [El-Bekarah, 160]

Emri El-‘Afuu do të thotë: Ai që i fshin të këqijat e i falë mëkatet dhe ka kuptim të përafërt me emrin El-Gafuur, porse emri El-‘Afuu ka kuptim më të gjerë, sepse emri El-Gafuur vjen prej fjalës arabe 'gufraan - غفران’, që do të thotë mbulim, kurse emri El-‘Afuu vjen prej fjalës ‘El-‘afuu – العفو’, që do të thotë fshirje. Kështu që, fshirja e mëkateve është më e madhe, sesa mbulimi i tyre. Ky dallim, bëhet atëherë kur këta dy emra përmenden së bashku, ndërsa kur përmenden veçmas, çdonjëri mbart kuptimin e tjetrit.

Falja e Allahut të Lartësuar është dy llojesh:

Lloji i parë: Falja e përgjithshme (el-‘afuu el-‘aam) për të gjithë kriminelët. Këtu hyjnë qafirat dhe të tjerët, duke i larguar prej tyre ndëshkimet që meritojnë ata, ngaqë i kanë bërë shkaqet, si dhe duke mos ua ndërprerë atyre begatitë edhe pse nuk i meritojnë ato, ngaqë ata e fyejnë Allahun duke e sharë, duke i bërë ortakë në adhurim, si dhe shumë shkelje të tjera që i bëjnë. Kurse, Ai u jep atyre mirëqenie, furnizim, i begaton ata me begati të dukshme e të padukshme, ua bën dunjanë të lehtë, u jep nga begatitë dhe të mirat e dunjasë, ua shtyn afatin e exhelit të tyre me faljen dhe vetëpërmbajtjen e Tij, porse Allahu i Patëmeta nuk është assesi i pavëmendshëm për ato që veprojnë ata.

Lloji i dytë: Falja e veçantë (el-‘afuu el-khaas), që është falja e veçantë e Tij për ata që pendohen, i kërkojnë falje Atij, i luten Atij, bëjnë adhurime për Të, për ata që janë goditur nga fatkeqësitë dhe durojnë duke shpresuar shpërblimin e Allahut. Pra, çdo kush që pendohet sinqerisht tek Allahu, me pendim të pastër për Fytyrën e Allahut, pendim të përgjithshëm që nuk shoqërohet me hezitim dhe këmbëngulje në mëkate, atëherë Allahu ia fal atij çfarëdolloj mëkati, qoftë kufër, mëkat i madh apo mëkat i vogël, ngaqë të gjitha këto futen te Fjala e Allahut të Lartësuar:

">﴿۞قُلۡ يَٰعِبَادِيَ ٱلَّذِينَ أَسۡرَفُواْ عَلَىٰٓ أَنفُسِهِمۡ لَا تَقۡنَطُواْ مِن رَّحۡمَةِ ٱللَّهِۚ إِنَّ ٱللَّهَ يَغۡفِرُ ٱلذُّنُوبَ جَمِيعًاۚ إِنَّهُۥ هُوَ ٱلۡغَفُورُ ٱلرَّحِيمُ٥٣﴾

“Thuaju robërve të mi, të cilët i kanë bërë keq vetes me gjynahe: mos i humbni shpresat nga mëshira e Allahut! Se me të vërtetë, Allahu i fal të gjitha gjynahet dhe pa dyshim që Ai është Falësi dhe Mëshiruesi i Madh." [Ez-Zumer, 53]

Dyert e shlyerjes së gjynaheve dhe faljes së Allahut janë të hapura. Allahu ka qenë, është dhe do të jetë Shlyes i mëkateve dhe Falës i Madh. Allahu ka premtuar se do ta falë dhe do t’ia shlyejë mëkatet atij që i bën shkaqet përkatëse, siç ka thënë Allahu i Patëmeta:

">﴿وَإِنِّي لَغَفَّارٞ لِّمَن تَابَ وَءَامَنَ وَعَمِلَ صَٰلِحٗا ثُمَّ ٱهۡتَدَىٰ٨٢﴾

“Nuk ka dyshim se Unë jam Falës i madh për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira, pastaj udhëzohet." [Taha, 82]