el-latiif
اللَّطِيفُ
ai që di çdo gjë me imtësi dhe është i butë me robërit e tij
el-khabiir
الْخَبِيرُ
ai që me diturinë e tij ka përfshirë çdo gjë të dukshme e të padukshme
Këta dy emra janë përsëritur disa herë së bashku, në disa ajete të Kur'anit Fisnik. Thotë Allahu i Lartësuar:

">﴿لَّا تُدۡرِكُهُ ٱلۡأَبۡصَٰرُ وَهُوَ يُدۡرِكُ ٱلۡأَبۡصَٰرَۖ وَهُوَ ٱللَّطِيفُ ٱلۡخَبِيرُ١٠٣﴾

“Atë nuk e përfshijnë shikimet, ndërsa Ai i përfshin të gjitha shikimet. Ai di çdo gjë me imtësi dhe ka përfshirë çdo gjë me diturinë e Tij." [El-En’am, 103]

Thotë Allahu i Lartësuar, kur përmend këshillën e Llukmanit të urtë, drejtuar djalit të tij:

">﴿يَٰبُنَيَّ إِنَّهَآ إِن تَكُ مِثۡقَالَ حَبَّةٖ مِّنۡ خَرۡدَلٖ فَتَكُن فِي صَخۡرَةٍ أَوۡ فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ أَوۡ فِي ٱلۡأَرۡضِ يَأۡتِ بِهَا ٱللَّهُۚ إِنَّ ٱللَّهَ لَطِيفٌ خَبِيرٞ١٦﴾

“O djali im, s’ka dyshim se sikur ajo (vepra) të jetë e imtë sa kokrriza e sinapit, e të jetë e fshehur brenda një shkëmbi ose në qiej ose në tokë, Allahu do ta sjellë atë, se me të vërtetë që Allahu di çdo gjë me imtësi dhe ka përfshirë çdo gjë me diturinë e Tij." [Lukman, 16]

Për sa i përket emrit El-Khabiir, kuptimi i tij është: Ai i Cili me dijen e Tij përfshin çdo gjë sekrete, çdo gjë që fshehin zemrat, çdo çështje të imtë, di çdo farë të fshehtë dhe çdo grimcë atomike. Pra, ky emër kthehet te domethënia e tij, që është dija mbi gjërat e fshehta, të cilat janë tejet të imta, të vogla e të padukshme. Kështu që, më parësore dhe më meritore është që të merret në konsideratë dija e Tij për gjërat e dukshme dhe të qarta.

Ndërsa emri El-Latiif ka dy kuptime:

Kuptimi i parë, është i njëjtë me kuptimin e emrit El-Khabiir, që do të thotë se dija e Tij është aq precize dhe e detajuar saqë ajo përfshin të gjitha sekretet, fshehtësitë dhe çdo gjë të pakapshme.

Kuptimi i dytë është: Ai i cili i jep robërve të tij dhe të dashurve të Tij ato gjëra që u bëjnë dobi atyre, me butësinë dhe mirësinë e Tij, në mënyra të ndryshme, saqë ata nuk e ndjejnë.