el-besiir
البَصِيرُ
shikuesi
Ky emër është përmendur vazhdimisht në Kur'anin Fisnik, në më shumë se dyzetë vende. Një prej tyre është fjala e Allahut të Lartësuar:

">﴿لَيۡسَ كَمِثۡلِهِۦ شَيۡءٞۖ وَهُوَ ٱلسَّمِيعُ ٱلۡبَصِيرُ١١﴾

“Asgjë nuk është si Ai. Ai është Dëgjuesi, Shikuesi i gjithçkaje." [Esh-Shura, 11]

Gjithashtu, është Fjala e të Lartësuarit:

">﴿إِنَّ ٱللَّهَ كَانَ سَمِيعَۢا بَصِيرٗا٥٨﴾

“Pa dyshim që Allahu është Dëgjuesi, Shikuesi." [En-Nisa, 58]

El-Besiir është Ai që shikon çdo gjë që duket; shikon çdo gjë sado e imët dhe e vogël që të jetë ajo. Ai shikon edhe lëvizjen e milingonës së zezë, mbi gurin e zi, në errësirën e natës. Ai shikon edhe qarkullimin e ushqimit në organizmin e tyre. Gjithashtu, Ai shikon çfarë ka poshtë shtatë tokave dhe sipër shtatë qiejve.

Ai, i Madhëruari e i Lartësuari, shikon lëvizjen e qepallave si dhe shikimet tinëzare të syve. Sa bukur që ka thënë autori i këtyre vargjeve:

‘O Zot që shikon krahët e mushkonjës kur fluturon,
në errësirën e natës së nxirë që sterron,
Ti që damarët në zverkun e saj i shikon,
edhe palcën që kockat e saj të dobëta përshkon,
me mirësinë Tënde ma mundëso një pendim,
që të më falen gjynahet që kam pa mbarim.’

Pastaj, ky emër madhështor ka një sërë kërkesash, disa nga të cilat janë: të jesh i përulur, të jesh i nënshtruar, të kesh gjithmonë ndërmend mbikëqyrjen e Allahut, të jesh i përpiktë në adhurim dhe të largohesh nga gjynahet dhe mosbindja.

Ka thënë Ibën Rexheb – Allahu e mëshiroftë: “Një burrë e thirri një grua për të bërë imoralitet natën në shkretëtirë, ndërsa ajo e refuzoi. Ky i tha: ‘Nuk na shikon askush, përveç yjeve.’ Ndërsa ajo ia ktheu: ‘Po Zoti i yjeve ku është?’”
Do të thotë: A nuk po na shikon Ai?

Thotë i Lartësuari:

">﴿أَلَمۡ يَعۡلَم بِأَنَّ ٱللَّهَ يَرَىٰ١٤﴾

“A nuk e di ai se, Allahu shikon?!" [El-'Alak, 14]

Atëherë, a nuk mjafton kjo që të marrësh qortim dhe të distancohesh nga gjynahet dhe mosbindja?