“Përkujto edhe kur Ibrahimi dhe Ismaili ngrinin themelet e Qabesë, ndërsa thonin: O Zoti ynë na e prano neve këtë vepër, me të vërtetë që Ti je Dëgjuesi, i Gjithëdituri." [El-Bekarah, 127]
Es-Semii'u është Ai që i dëgjon të gjithë zërat njëkohësisht, edhe pse ndryshojnë gjuhët dhe kërkesat e tyre. Te dëgjimi i Tij arrin çdo fjalë që thuhet, qoftë fshehurazi apo haptazi. Thotë i Lartësuari:
“Të gjithë ju jeni njëlloj për Atë, si ai që flet me zë të ulët si ai që flet me zë të lartë, si ai që fshihet natën e si ai që shfaqet ditën." [Err-Rra’d, 10]
Dëgjimi i Tij i përfshin të gjithë zërat dhe ato nuk i ngatërrohen e as nuk i pështjellohen aspak Atij, as nuk e shpërqendron një zë nga një zë tjetër, as nuk e bëjnë të gabojë me lutjet e ndryshme dhe nuk e bezdisin Atë lutësit e shumtë.
Ka transmetuar Imam Ahmedi dhe të tjerë nga ‘Aishah – radijAllahu ‘anha, se ajo ka thënë: “Lavdia i takon Atij, dëgjimi i të Cilit ka përfshirë të gjithë zërat. Erdhi te Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – gruaja që po ankohej dhe po diskutonte me të, ndërsa unë isha në një qoshe të shtëpisë e nuk dëgjoja se çfarë thoshte, kurse Allahu, i Plotfuqishëm e i Madhërishëm, zbriti ajetin:
“Me të vërtetë që Allahu i dëgjoi fjalët e asaj që diskutoi me ty për burrin e saj dhe duke u ankuar tek Allahu për burrin e saj. Pa dyshim që Allahu e dëgjoi bisedën tuaj, se me të vërtetë që Allahu është Dëgjues, Shikues." [El-Muxhadileh, 1]
Ndërsa në një transmetim tjetër, ‘Aishah ka thënë: “I Lartësuar është Ai, dëgjimi i të Cilit ka përfshirë gjithçka.”
Madje sikur të luteshin në të njëjtën kohë të gjithë xhinët dhe njerëzit, që nga i pari e deri tek i fundit i tyre, deri kur Allahu ta marrë tokën dhe ç’ka në të, e çdokush të kërkonte nevojën e tij, çdonjëri të fliste me dialektin e tij dhe me gjuhën e tij, padyshim që Allahu do t'i dëgjonte ata që të gjithë, pa iu ngatërruar ndonjë zë me një tjetër, ndonjë gjuhë me një tjetër, apo ndonjë nevojë me një tjetër.