“Zoti ynë ka përfshirë çdo gjë me dituri. Atij i jemi mbështetur ne. Zoti ynë gjyko me drejtësi mes nesh dhe popullit tonë, e padyshim që Ti je më i Miri nga të gjithë gjykatësit." [El-A’raf, 89]
Kuptimi i emrit El-Fettaah është: Ai që gjykon mes robërve të Tij si të dojë dhe vendos midis tyre si të dojë, i jep mirësi kujt të dojë dhe s’ka kush ta kthejë mbrapa gjykimin e Tij, si dhe nuk ka kush ta anulojë vendimin apo urdhrin e Tij. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
“Kur Allahu u jep mëshirë njerëzve, s’ka kush ta ndalojë atë. E kur Ai ndalon diçka, s’ka kush ta lëshojë atë mbas vendimit të Tij, e Ai është i Plotfuqishmi, më i Urti." [Fatir, 2]
Kështu që, besimi që ka robi për Zotin e tij të Pastër nga çdo mangësi, se Ai është El-Fettaah, e obligon robin që t’i drejtohet Allahut të vetëm, në mënyrën më të mirë, që Ai t’ia hapë atij dyert e udhëzimit, dyert e furnizimit dhe dyert e mëshirës, si dhe që t’ia hapë zemrën dhe t’ia zgjerojë kraharorin për të bërë mirësi. Ka thënë Allahu i Lartësuar:
“A krahasohet ai të cilit Allahu ia hapi kraharorin për Islamin dhe ai është në dritë nga Zoti i tij (me atë njeri që nuk është i tillë)? Mjerë për ata që i kanë zemrat të ngurtësuara ndaj përkujtimit të Allahut. Të tillët janë në devijim të qartë." [Ez-Zumer, 22]
Ka thënë Kurtubiu, Allahu e mëshiroftë: “Kjo hapje dhe zgjerim nuk ka kufij, secili besimtar ka marrë hisen që i takon prej saj. Me këtë fituan Profetët në gradën e parë, pastaj vijojnë njerëzit e devotshëm që erdhën mbas tyre, pastaj vijojnë dijetarët, pastaj vijojnë krejt besimtarët në përgjithësi. E nga kjo hapje dhe zgjerim, Allahu ka privuar vetëm pabesimtarët.”