“Në të vërtetë që, Allahu është padyshim Udhëzuesi i atyre që besuan, për në rrugën e drejtë." [El-Haxh, 54]
Gjithashtu është Fjala e Tij:
">﴿وَكَفَىٰ بِرَبِّكَ هَادِيٗا وَنَصِيرٗا٣١﴾
“Dhe mjafton Zoti yt Udhëzues dhe Ndihmues." [El-Furkan, 31]
El-Haadij është Ai që i udhëzon robërit e Tij, i orienton dhe i shpie në ato gjëra që u sjellin atyre lumturinë në dunjanë e tyre dhe ahiretin e tyre. Është Ai që me udhëzimin e Tij, udhëzohen njerëzit e Tij besnikë që të punojnë me bindje për Të, për të fituar Kënaqësinë e Tij; është Ai që me udhëzimin e Tij, orientohen gjallesat për ato gjëra që janë të mira për to, si dhe ruhen nga ato gjëra që janë të dëmshme për to.
Pra, Allahu është Ai që i ka krijuar krijesat dhe i ka udhëzuar.
“Është Ai i Cili krijoi gjithçka dhe i përsosi, Ai i Cili përcaktoi gjithçka dhe i udhëzoi.” [El-‘Ala, 2-3]
Ai i udhëzoi krijesat me udhëzimin e përgjithshëm që të arrijnë dobinë e tyre, si dhe ua lehtësoi atyre jetesën dhe qëllimin për të cilin u krijuan. Gjithashtu, Ai i udhëzoi ato me udhëzimin e sqarimit, prandaj ua zbriti Librin e Shenjtë, u dërgoi të Dërguarit dhe u vendosi ligje dhe gjykime, bëri hallallin dhe haramin, u sqaroi bazat e fesë dhe degëzimet e saj, i udhëzoi dhe u sqaroi Rrugën e Drejtë, e cila të shpie te Kënaqësia e Tij dhe shpërblimi i Tij, si dhe i bëri të qarta rrugët e tjera për t’i paralajmëruar robërit e Tij që të ruhen prej tyre.
Gjithashtu, Ai i udhëzoi robërit e Tij besimtarë me udhëzimin e suksesit për realizimin e Imanit dhe bindjes për Allahun, i udhëzoi ata që të arrijnë gradat e tyre në Xhennet, ashtu siç i udhëzoi në dunja që të ndjekin shkaqet dhe rrugët që të shpien në Xhenet.
Pra, emri El-Haadij i përmban të gjitha llojet e udhëzimit.