72

Pakujdesia

Transmetohet nga Sulejman bin Jesar se ka thënë: “Disa njerëz kishin vendosur të udhëtonin dhe kur u nisën, thanë: ‘I Pastër nga çdo mangësi është Ai, i Cili na e ka nënshtruar këtë (kafshë) neve dhe ne nuk kemi fuqi për (ta krijuar dhe nënshtruar) atë dhe ne vërtet te Zoti ynë do të kthehemi.’ Në mesin e këtyre njerëzve ishte edhe një person që kishte një deve e cila mezi ngrihej nga vendi dhe ecte avash. Ky person tha: ‘Kurse unë po ngrysem me këtë deve dhe unë kam fuqi mbi të që ta kontrolloj.’ Ai nisi udhëtimin me këtë deve dhe pas pak ai u rrëzua nga deveja dhe vdiq.” [El-‘Ukubaat, i Ibën Ebi Dunja, (316)]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Shumë të rinj, Allahu i përmirësoftë dhe i udhëzoftë, mbështeten në aftësinë e tyre kur e ngasin makinën dhe mendojnë se kanë fuqi që ta kontrollojnë atë, pastaj nisen me të duke e mashtruar veten dhe duke qenë të pakujdesshëm, kështu e gjejnë vdekjen. O ju të rinj, kur dëshironi të hipni në makinë, përmendeni Allahun dhe falënderojeni Atë. Kur të uleni në karrige, thoni:

سُبْحانَ الَّذِي سَخَّرَ لَنَا هَذَا وَمَا كُنَّا لَهُ مُقْرِنِينَ وَإِنَّا إِلَى رَبِّنَا لَمُنقَلِبُونَ

“I Pastër nga çdo mangësi është Ai, i Cili na e ka nënshtruar këtë neve dhe ne nuk kemi fuqi për këtë dhe ne vërtet te Zoti ynë do të kthehemi.”

Po ashtu, kini kujdes nga vetëmashtrimi dhe pakujdesia.