117

Rreziku i vetmisë me një femër të huaj

Ubade ibën Samit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili është një sahabi i shquar, dhe nga pjesëmarrësit e Bedrit, ka thënë: “A nuk më shihni mua! Unë nuk mund të ngrihem veçse duke u mbajtur apo duke më ndihmuar dikush. Unë nuk ha tjetër gjë përveç ushqimit që ma zbusin të tjerët. Organi im gjenital ka vdekur me kohë, por unë nuk dëshiroj që të posedoj asnjë gjë mbi të cilën lind dielli dhe që të vetmohem me një grua e cila nuk është hallall për mua nga frika se mos ajo bën ndonjë lëvizje, edhe pse organi im ka mbetur pa dëgjim e pa shikim (pa ndjenja).” [Libri Shuabul-Iman, i Bejhakijut, 5065]
Komenti i Shejkh AbduRrezzak el-Bedër:

Bejhakiu thotë: Fjala e tij “...veçse duke u mbajtur...” ka për qëllim: duke u mbajtur diku, apo që të më ndihmojë dikush që të ngrihem derisa të çohem.

Fjala e tij: “...përveç ushqimit që ma zbusin...” do të thotë: përveç ushqimit që ma zbusin derisa të bëhet i butë si gjalpi, ngase ai ishte në moshë të thellë.

Fjala e tij: “...vdiq organi im, ka mbetur pa dëgjim dhe pa shikim...” ka për qëllim ngushëllimin dhe se ai nuk ka mundësi të bëjë asgjë.

Duke i marrë parasysh të gjithë këto, ai thotë në fund: "Unë e urrej vetminë me një grua të huaj.” Si qëndron çështja me një të ri që vetmohet me një vajzë të bukur e të stolisur dhe që shejtani është i treti i tyre!