Fusnota
[115] Transmeton Ebu Seid el-Khudrij, radijAllahu anhu, se një grup prej shokëve të të Dërguarit të Allahut, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, u nisën në një udhëtim dhe kur arritën te një lagje e arabëve, ata kërkuan prej tyre mikpritje, por ata refuzuan. Në atë kohë, prijësi i vendit u pickua nga një gjallesë helmuese dhe njerëzit e tij u munduan ta ndihmojnë me çdo gjë, por asgjë nuk pati efekt. Me këtë rast, njëri nga ata tha: "Sikur të shkonit tek ata udhëtarët që ishin mbrëmë këtu, ndoshta ndonjëri prej tyre ka ndonjë gjë për kurim!" Kështu që erdhën te Sahabët dhe u thanë: "Kryetari i fisit tonë është pickuar nga një gjallesë helmuese, dhe ne bëmë çdo gjë që kishim mundësi, por ishte e kotë! A di ndonjëri prej jush diçka që mund ta shpëtojë atë?!” Njëri prej tyre tha: “Po! Pasha Allahun unë do t’i lexoj rukje atij. Por përderisa ju nuk na mikpritët, ashtu edhe unë nuk do t’i lexoj atij rukje derisa të na jepni një shpërblim!” Kështu, ata pranuan dhe ranë dakord që t'ju jepnin një tufë delesh. Kështu, ai shkoi me ta dhe filloi duke i fryrë me pak pështymë dhe të lexojë Suren el-Fatihah. Për shkak të këtij leximi, ai u shërua dhe sikur u lirua nga prangat. Ai u ngrit dhe filloi të ecte duke mos shfaqur asnjë shenjë sëmundjeje! Ata e paguan atë që u kishin premtuar atyre. Njëri prej sahabëve tha: “T’i ndajmë këto dele mes nesh!” Ndërsa ai që lexoi rukjen tha: “Nuk do t'i ndajmë derisa të shkojmë te i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem dhe t'ia tregojmë atë që ndodhi dhe të shohim se ç'do të na thotë!” Kështu, pasi shkuan dhe ia treguan ngjarjen, ai, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem, tha: “Nga e dije se ajo (el-Fatihah) është rukje?! Ju keni vepruar siç duhet. Ndajini delet mes jush dhe më lini edhe mua një pjesë!” [Transmetojnë Bukhariu, 5749 dhe Muslimi, 2210]